Ekspozita “Hasan Prishtina në dokumentet arkivore”
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, sot në Ulqin, në ambientet e Librarisë “Ulqini” hapi ekspozitën “Hasan Prishtina në dokumentet arkivore”.
Ekspozita pasqyron veprimtarinë e patriotit Hasan Prishtina me rastin e 100-vjetorit të marrjes së detyrës si Kryeministër i Shqipërisë.
Fjalë përshëndetëse në këtë aktivitet mbajti kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, përfaqesuesi i trungut familjar Hasan Prishtina, z.Mehmet Prishtina, drejtoresha e Komunikimit në DPA, Elsa Saka dhe drejtori i Institutit, Skënder Asani.
Kjo ekspozitë përmban materiale që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror dhe që flasin mbi veprimtarinë e Hasan Prishtinës në periudhën parashtetërore, ndihma në organizimin e kryengritjeve antiosmane në territoret e Vilajetit të Kosovës dhe mbi mbështetjen e zhvillimit të arsimit shqip.
Në këtë aktivitet ITSHKSH i dhuroi Librarisë “Ulqini” mbi 100 tituj nga fondi i vet botues.
Shumë shpejt Këshilli Kombëtar në bashkëpunim me DPA-në do të mundësojnë hapjen e Këndit Arkivor – Ulqin, projekt ky që po realizohet në të gjitha trevat shqipfolëse.