Seminari me temë “Informimi shqip në Mal të Zi – Gazetaria hulumtuese

Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Mal të Zi organizoi të diel me 24 tetor në Ulqin seminarin me temë “Informimi shqip në Mal të Zi – Gazetaria hulumtuese”.Në seminar u diskutua jo vetëm për gazetarinë hulumtuese, por edhe për problemet dhe sfidat me të cilat ballafaqohen mediet në gjuhën shqipe në Mal të ZI.

Ligjëruesit dhe pjesëmarrësit në këtë seminar u pajtuan se gazetaria hulumtuese është fare pak apo aspak e pranishme në mediet në gjuhë shqipe në Mal të Zi.

Për pozitën aktuale të medieve elektronike shqipe në Mal të Zi foli Haxhi Shabani, gazetar në Radiotelevizionin e Malit të Zi. Ai tha se në një numër kaq të pakët të medieve,nuk ka se si të kemi pretendime për të pasur medie të zhvilluara që flasin shqip që nga niveli kadrovik dhe deri te ai teknologjik, ndonëse në kuadër të këtyre medieve punojnë gazetarë të cilët kanë përgatitje profesionale dhe kanë dëshmuar që mund të ballafaqohen me kërkesat bashkëkohore që i ka ky profesion.

Sipas Shabanit, “në mënyrë që gazetaria hulumtuese të bëhet mbizotëruese në mediet në gjuhën shqipe në Malin e Zi, duhet ndryshuar thellësisht, që nga përgatitja profesionale e gazetarit, rritja sasiore dhe cilësore e medieve, së paku me hapjen e një kanali të veçantë televiziv në shqip në nivel qëndror, pastaj mbështetja financiare e tyre, e deri te ndryshimi i konceptit për rolin që duhet të kenë medie.”

Redaktori përgjegjës i gazetës “Koha Javore”, Ali Salaj, foli mbi pozitën e medieve të shkuara shqipe në Mal të Zi. Ai tha se gazetaria hulumtuese është e panjohur si zhanër në gazetarinë e shkruar në Mal të Zi. “Në këto media, jo që nuk gërmohet në thellësi, por shpesh herë nuk gërvishtet as sipërfaqja. Kjo ndodh ngase mediet e shkruara në gjuhën shqipe nuk kanë ndonjë traditë  identifikuese, pjekuri profesionale dhe guxim intelektual”, u shpreh ai. Salaj theksoi se “në mediet e shkruara në gjuhën shqipe në Mal të Zi janë bërë përpjekje ndoshta për të folur apo edhe për të zbardhur ndonjë fenomen negativ të shoqërisë qoftë përmes intervistës, kronikës, komentit,polemikës dhe analizës, por që të gjitha mbeten brenda suazave të gazetarisë së rëndomtë, narrative dhe përshkruese”.

Ligjëruesi tjetër, kryeredaktori i Televizionit “Top Channel”, Mentor Kikia, prezantoi përvojën e medieve në Shqipëri sa i përket gazetarisë hulumtuese, me theks të veçantë në televizionin ku ai punon. Kikia tha se gazetaria hulumtuese është e vështirë, agresive, e rrezikshme, por e bukur. Ai solli raste konkrete të gazetarisë hulumtuese në Shqipëri që kanë dëshmuar shkeljet dhe devijimet dhe që kanë ndikuar që pushteti të reagojë. Sipas tij, media në Shqipëri ka arritur një shkallë  pavarësie dhe të jetë agresive në raport me pushtetin.

Kryeredaktori i Televizionit “Top Channel” theksoi se në punën e saj hulumtuese “media nuk mund të ketë kurrë kufij nacionaliteti, as kufij shtetërorë”. Në tryezë morën pjesë gazetarë, opinionistë dhe drejtues të medieve në gjuhën shqipe në Mal të Zi, të cilët po ashtu diskutuan për pozitën dhe problemet me të  cilat ballafaqohet mediet në gjuhën shqipe në Mal të Zi. Të pranishëm në këtë tryezë ishin edhe kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi, Tahir Tahiri dhe drejtori i Fondit për Pakica të Malit të Zi, Safet Kurtagiq të cilët i përshëndetën pjesëmarrësit e seminarit.

Drejtori i Fondit të pakicave z. Safet Kurtagiq në fjalën përshëndetëse u shpreh se institucioni në krye të cilit është do të përkrah projekte që do të merren me çështje të ngjashme dhe premtoi bashkëpunim të mirë me Këshillin nacional të shqiptarëve.

Seminari në fjalë, në të cilin morën pjesë përfaqësuesit e shumicës së medieve që informojnë shqip në Mal të Zi dhe personave të cilët në një formë apo tjetër formojnë opinionin, ishte rast i mirë takimi për të biseduar për problemet me të cilat ballafaqohen në punën e tyre.

Përfundim i përbashkët ishte se mediet që informojnë shqip në Mal të Zi, as nga sasia edhe as nga cilësia nuk i plotësojnë nevojat dhe kërkesat e popullatës për informim. Ndërsa kur është fjala për gazetarin hulumtuese konstatim i përbashkët ishte se nuk mund të flitet për këtë gjini gazetarie, sepse në Mal të Zi nuk ekziston fare.

Nga tubimi doli propozimi që edhe gazetarët shqiptarë në Mal të Zi të organizohen në shoqatë me qëllim që ti mbrojnë të drejtat e tyre. Në seminar ishin prezent rreth 30 vijues. Për punën e tij raportuan ekipet e Radios dhe Televizionit shqip të Malit të Zi, televizioneve Teuta dhe Boin si dhe Kohës Javore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *