KKSH mirëpret autorin anglez Noel Malcolm për prezantimin e librit “Agjentë perandorakë”,
KËSHILLI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE NË MALIN E ZI
Ulqin, 18 maj 2016, Hoteli “Otrant” ora 20.00
KËSHILLI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE NË MALIN E ZI, mirëpret autorin anglez Noel Malcolm për prezantimin e librit “Agjentë perandorakë”, që vjen për lexuesin shqiptar nga Botimet Dudaj. Në Ulqin historiani i mirënjohur për çështjet e Ballkanit bashkëbisedon me pjesëmarrësit, intelektual, historian, gjuhëtar, studiues shkencorë, gazetarë e studentë.
Tabloja panoramike e politikës së fuqive perëndimore në shekullin XVI përballë superfuqisë
otomane të Lindjes është fokusi i bisedës së tij me të ftuarit. Vepra mbulon një periudhë jetike të historisë së Mesdheut, momente kritike për Europën Lindore e Perëndimore, për Krishterimin e Islamin. Përmes dokumentimit të historisë së dy familjeve shqiptare zbulohen kontaktet apo konfliktet në botën e “pëshpërimave të qyteteve”, rrjetit të shërbimeve inteligjente nga Europa Perëndimore në Azi.
Për të shkruar këtë vepër, Malcolm ka shfrytëzuar materiale arkivore në 10 gjuhë, nga Roma në Varshavë, nga Dubrovniku në Maltë. Në lëvizje të vazhdueshme e diversitet gjuhësor janë ndjekur diplomatët, spiunët, priftërinjtë, ushtarët, tregtarët e përkthyesit. Rezultati është një produkt shumë i pasur me detaje të kohës, ku përfshihet edhe historia e patrajtuar sa duhet e faktorit shqiptar, në historinë e Europës së atyre viteve. Ashtu si thotë David Wootton i Wall Street Journal “ vepra është pasqyrimi më i mirë i Mesdheut të shekullit XVI, që nga koha e Fernand Braudel”. Takimi është i hapur për mediat.
Noel Malcolm, profesor në All Souls College në Oksford, është studiues shkencor i historisë së hershme të mendimit; studime mbi Thomas Hobbes dhe marrëdhëniet mes Europës Perëndimore e botës otomane islamike. Ndikimi i Lindjes në mendimin politik të Perëndimit, interesi për Ballkanin, sidomos për territorin shqiptar janë lëndë e kërkimeve të fundit. Malcolm ka shkruar mbi 11 libra historie, biografi dhe ese, mes të cilave histori të Bosnjës (1994) dhe Kosovës (1998), të njohura e të diskutuara në rrafsh ndërkombëtar. Anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Kosovë. Anëtar i Akademisë Britanike, i vlerësuar Kalorës nga Mbretëresha Elizabet.