KKSH: NJË LAJM I MIRË PËR SHQIPTARËT NË MAL TË ZI!
Kumtesë për Opinion
Të nderuar shqiptarë në Mal të Zi,
Një tjetër lajm i mirë për ne.
Me këtë rast informojmë opinionin se Qeveria e Republikës së Shqiperisë, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, të mbajtur me 10 korrik 2019, ka marrë vendim për mbështetje financiare të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi.
Këtë e konsiderojmë si vendim historik i cili duhet përshëndetur, pasi është rasti i parë që Qeveria e Republikës Shqiperisë jep mbështetje financiare për Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi.
Pa dyshim, ky është një vendim i mirëpritur nga ne dhe vjen si rezultat i bashkëpunimit intenziv ndërmjet Keshillit Kombëtar, Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Podgoricë dhe Qeverisë Shqiptare.
Këto mjete do të dedikohen për fuqizimin e aktiviteteve të Këshillit Kombëtar, vënien në funksion të zyrave koordinuese në Malësi dhe Plavë, me qellim të jemi sa më pranë qytetarëve shqiptarë në Mal të Zi, një mundësi më shumë, për të raportuar për shqetësimet e tyre në rastet e shkeljeve të të drejtave kombëtare, për nisma dhe iniciativa kërkimore për situatën aktuale të respektimit të të drejtave, në përputhje me konventat ndërkombëtare dhe ligjet në fuqi, për çështje të tilla si: arsimi në gjuhën shqipe në Mal të Zi, e drejta e përfaqësimit dhe punësimit proporcional të shqiptarëve në institucionet publike, e drejta e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, përdorimi i lirë i simboleve tona kombëtare, media dhe informimi në gjuhën shqipe, situata socio-ekonomike e shqiptarëve dhe investimet në infrastukturë etj.
Për një kohë relativishtë të shkurtër, kemi tre vendime shumë me rëndësi nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë për shqiptarët në Malin e Zi.
- Vendimi për heqjen e nevojës për t’u pajisur me leje pune për shqiptarët nga Mali i Zi që punojnë dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Shqipëri.
- Vendimi për hapjen e Konsullatës së Republikës së Shqipërisë në qytetin e Ulqinit.
- Vendimi për mbështetje financiare të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi.
Në emër të Këshillit Kombëtar si institucion përfaqësues i shqiptarëve në Malin e Zi dhe në emrin tim personal, falenderoj shumë dhe shpreh mirënjohjen më të thellë Kryeministrit Sh.T. Z. Edi Ramës, Ministrit z. Gent Cakajt, anëtarëve të Kabinetit Qeveritar dhe Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Malin e Zi Sh. T. Z. Ridi Kurtezit.
Kemi besim të plotë se me përpjekje të përbashkëta, të vazhdueshme dhe veprime të duhura në kohën e duhur, do të ndikojmë që shqiptarët të ndihen mirë dhe të sigurtë në trojet e veta kudo që ndodhen.
Me respekt,
K r y e t a r i
Faik Nika