KKSH shenoi 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

IMG-03916390326c0a51ee70fb1df7bcb6aa-V

Të premten, më 22 qershor 2018  në Galerinë e Qendrës për Kulturë, u mbajt veprimtaria shkencore e titulluar  “Trevat shqiptare veriperëndimore në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”. Kjo veprimtari u organizua nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Albanologjike – Tiranë.

Rolin e moderatorit të mbrëmjes e kishte z. Ismet Kallaba, i cili në emër të SHAI “Art Club” përshëndeti të pranishmit dhe midis të tjerash u shpreh:

“Megjithëse kanë kaluar 140 vjet, Lidhja Shqiptare e Prizrenit mbetet aktuale sidomos për ne shqiptarët që sot jetojmë në Mal të Zi pasi që, për fat të keq, vazhdon procesi i rrezikimit dhe i copëtimit të trungut etnik shqiptar, tashmë jo me luftë, por me mjete të tjera asimiluese.”

Edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, z. Faik Nika,  përgëzoi bashkëpunimin me Art Club-in dhe Akademinë e Studimeve Albanologjike dhe theksoi rëndësinë e shenimit të kësaj ngjarjeje me rëndësi për popullin shqiptar.

Në vazhdim veprimtarinë shkencore e hapi akademik Prof. Dr. Marenglen Verli, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike.

Ligjërues të mbrëmjes ishin:

  1. Akademik Prof. Dr. Beqir Meta me temën “Propozimi britanik në Ulqin dhe rezistenca shqiptare maj-qershor 1880”
  2. Prof. Dr. Gazmend Shpuza  me temën “Mbrojtja e Ulqinit, fati i Çamërisë dhe e ardhmja e Shqipërisë përballë koalicionit ndërkombëtar”;
  3. Dr. Nail Draga me temën“Ulqini dhe Ymer Prizreni;
  4. Akademik Prof. dr. Marenglen Verli me temën “Vëmendja dhe qëndrimet e Austro-Hungarisë për trevat veriperëndimore shqiptare nga vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit deri në krijimin e shtetit shqiptar”

Në mbyllje të mbrëmjes, moderatori i njoftoi të pranishmit që të nesërmen në ora 10, në shenjë nderimi dhe kujtimi, përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, përfaqësuesit e Art Club-it dhe të Akademisë së Studimeve Albanologjike, do të vendosin lule në varrin e Ymer Prizrenit dhe njëherit, u bëri thirrje të pranishmëve që t’i bashkangjiten me këtë rast.

IMG-323386d172d5c3d7d7607ba540b1fb69-V IMG-fd7ca0694b21aa6be68cfbe9a69e3ded-V

IMG-a4a76b7c177b5136e9c376109e250abd-V

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *