KKSH-Takimi i parë i Grupit të punës për zgjidhjen e problemeve të arsimit shqip

Takimi 04 05 2015

U zhvillua takimi i parë i Grupit të punës për zgjidhjen e problemeve të arsimit shqip

Grupi i punës, i ngritur për zgjidhjen e problemeve të arsimit në gjuhën shqipe në Mal të Zi, ka zhvilluar të hënën takimin e tij të parë në mjediset e Ministrisë së Arsimit në Podgoricë.

Në takim kanë marrë pjesë koordinatori i Grupit të punës z. Marash Dukaj, drejtor i Drejtorisë për arsimimin e pjesëtarëve të popujve pakicë dhe bashkësive të tjera kombëtare, z. Rrok Gjolaj, këshilltar pranë kësaj drejtorie, z. Ismet Kallaba, kryetar i Komisionit për Arsim dhe përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe të KKSH-së, znj. Zoja Bojaniq Llalloviq, drejtoreshë e Entit për Tekste dhe Mjete Mësimore, dhe Jasmina Gjorgjeviq, këshilltare për programe dhe hulumtime pranë Entit për Shkollim.

Anëtarët e Grupit të punës kanë diskutuar mbi problemet me të cilat përballet arsimi në gjuhën shqipe në Mal të Zi, bazuar në vërejtjet e KKSH-së, si dhe për hapat konkretë që duhet të ndërmerren për zgjidhjen e problemeve ekzistuese. Ata janë pajtuar se nuk duhet shpejtuar me zgjidhjet, por të punohet për gjetjen e zgjidhjeve afatgjate.

Përfaqësuesi i KKSH-së në Grupin e punës, z. Ismet Kallaba, ka theksuar se programet dhe tekstet shkollore ekzistuese të lëndëve të identitetit kombëtar nuk u mundësojnë nxënësve shqiptarë që të zhvillojnë vetëdijen mbi përkatësinë, kulturën, historinë dhe traditën e tyre kombëtare, siç parashikohet edhe me Ligjin e përgjithshëm mbi arsimimin dhe edukimin.

Përpos mënjanimit të mangësive në tekstet shkollore, në takim është hedhur ideja që duhet të punohet paralelisht për ndryshimin e programeve të disa lëndëve të identitetit kombëtar.

Drejtoresha e Entit për Tekste dhe Mjete Mësimore, znj. Zoja Bojaniq Llalloviq, i ka njoftuar anëtarët e Grupit të punës se në tekstet e reja shkollore në gjuhën shqipe, që do të ribotohen për vitin e ardhshëm shkollor, janë korrigjuar dhe përmirësuar disa gabime, siç janë toponimet, emrat e njerëzve etj. Ajo po ashtu ka bërë të ditur se shkollat fillore në gjuhën shqipe do të furnizohen vitin e ardhshëm me lektyrat shkollore, të cilat do të blehen.

Grupi i përbashkët i punës është ngritur pas takimit që një delegacion i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi zhvilloi muajin e kaluar me ministrin e Arsimit, z. Predrag Boshkoviq.

Ai pritet të propozojë dhe të ofrojë zgjidhje konkrete për problemet e arsimit në gjuhën shqipe në Malin e Zi.

Shërbimi për informim    

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *