KKSH- Vazhdon me dhurimin e lektyrave shkollore per shkollat e mesme ne MZ
Sot Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi ka vazhduar, aksionin e dhurimit të librave për shkollat e mesme në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe.
Kryetari i KKSH-së, z. Genci Nimanbegu, i shoqëruar nga sekretari i KKSH-së Faik Nika, kryetari i Komisionit për arsim dhe përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, Ismet Kallaba dhe Daut Ceka ndihmës koordinator i projektit u kanë dorëzuar drejtorëve të shkollave “Vëllazërim Bashkim”-Ulqin dhe gjimnazit privat “Drita” – Ulqin 45 tituj me gjithsej 630 kopje, pjesa më e madhe e të cilave janë lektyra shkollore.
Drejtorët e shkollave kanë shprehur falënderime për donacionin e KKSH-së, duke e vlerësuar atë si shumë të dobishëm për zbutjen e mungesës së literaturës në gjuhën shqipe.
Dhurimi i librave u bë në kuadër të projektit të cilin KKSH e realizon me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.
Aksioni i dhurimit të librave ka filluar sot dhe do të vazhdojë edhe në shkollat e mesme në Tuz-Malësi dhe Plavë.
Pasurimi i bibliotekave shkollore me lektyra dhe literaturë tjetër të domosdoshme për nxënësit e është njëra ndër objektivat e KKSH-së në fushën e arsimit.