Reagim ndaj dhunës në protesta
Me rastin e protestave të organizuara para ca ditësh nga një pjesë e opozitës në Mal të Zi, erdhi deri tek disa incidente, për të cilët unë, si deputet shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi dhe si kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, e ndiej të nevojshëm reagimin.
Fillimisht, shpreh shqetësim për gjestin e ulët, atë të gjuajtjes në drejtim të Ambasadës së Shqipërisë në Mal të Zi, gjest ky fare i panevojshëm të cilin e denojmë dhe e vlerësojmë, jo vetëm kundër Ambasadës së Shqipërisë, por edhe si qëndrim ndaj shqiptarëve në tërësi. Jam dakord që populli të shprehë pakënaqësitë me format demokratike, por kurrësesi ta shfaqë shqetësimin duke u treguar të dhunshëm, mbi të gjitha, të dhunshëm ndaj dikujt që nuk ka asnjëfarë përgjegjësie për proceset politike në Mal të Zi.
Edhe dhuna drejtuar organeve të sigurisë është gjest që duhet denuar. Të diskutohet për problemet dhe të kërkohet zgjidhja e mirëfilltë në institucione, duke u bazuar tek dialogu dhe vullneti i mirë, ky, mendoj, do të ishte një sugjerim i mirë.
Kemi apeluar para se të ndodhte, po apelojmë përsëri, duke theksuar se secili incident është një hap prapa në demokratizimin e Malit të Zi dhe në rrugën tonë të integrimeve. Si qytetarë të kujdesshëm, duhet të veprojmë me maturi, të shpërndajmë paqe, tolerancë dhe zgjidhjet e problemeve t’i arrjmë përmes dialogut, siç u shkon përshtat vendeve demokratike.
Andaj i bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politik, që me retorikën dhe veprimet e veta, të reagojnë dhe në mënyrën më serioze dhe më të përgjegjëshme të qetësojnë tensionet e panevojshme.
Me respekt,
Kryetari
Genci Nimanbegu