Zbulimit i Pllakës përkujtimore në Manifestimin e shënimit të 100 vjetorit të Kryengritjes së Malësisë.

Këshilli Nacional i Shqiptarëve ishte bashkorganizator i  manifestimit në Bratil të Deçiqit me rastin e zbulimit të Plakës përkujtimore në Manifestimin e shënimit të 100 vjetorit të Kryengritjes së Malësisë.   

Fjala përshëndetëse e kryetarit të Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Malin e Zi, z.Tahir Tahiri, me rastin e kremtimit të 100 vjetorit të Kryengritjes së Malësisë- Tuz, Bratilë.

Zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra, bashkatdhetarë tanë në mërgim, bashkëkombës nga të gjitha trevat shqiptare të pranishëm  në këtë vend të bekuar , këtu sot, i nderuar djali i familjes Jashari z.Murat Jashari me anëtarë të delegacionit,i nderuar z. Agim Çeku, shkencëtarë e studiues, të nderuar malësorë e malësore nikoqir.
Më lejoni që në emër të Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Malin e Zi dhe në emrin tim personal , në këtë përvjetor të rëndësishëm dhe me vlerë gjithëkombëtare të Ju përshëndes dhe të shprehi admirimin tim për këtë Manifestim i cili duhet të ketë karakter dhe dimension mbarëkombëtarë.
Gjatë dy ditëve të Simpoziumit shkencorë në Qendrën e kulturës në Tuz patëm rastin dhe nderin të dëgjojmë nga studiuesit dhe historianët ma eminent të kombit shqiptarë për faktet historike për këtë ngjarje, prandaj unë nuk dua te prekë këtë aspekt por dua te citoj shkrimtarin tonë të madh Ismail Kadare i cili flet për madhësinë e kësaj kryengritje: ,, Kjo kryengritje ka atë gjë të veçantë se është lufta e fundit e shqiptarëve përpara fitimit të pavarësisë. Por luftërat e fundit  janë shpesh ndër më heroiket. Ato kërkojnë një vetëmohim dhe trimëritë  të pashembullt, për arsyen e thjeshtë se ndodhen shumë para lirisë. Dhe dihet se kur liria është pranë, jeta bëhet më e dhembshur, ndaj dhe flijimi i saj është i vështirë” . Kështu e përshkruan shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, heroizmin e Dedë Gjon Lulit dhe bashkëluftëtarëve të tij malësorë. Ai ishte një prijës dhe një hero tipik shqiptarë, nga ata që shkojnë në luftë me krejt familjen, dhe që bashkërisht me vëllezër e motra, nipër e mbesa, gjithë sa janë, janë të gatshëm për flijim. Deda është pasardhës i shumë heronjve që kombi shqiptarë pati ma herët gjatë historisë të vet të vështirë e të dhimbshme dhe paraardhës i shumë heronjve të tjerë si Adem Jashari , biri i të cilit është këtu sot në mes nesh dhe krah për krah me pasardhësit e bacës Dedë, që na përcjellin mesazhin e qëndresës, sakrificës dhe unitetit të kombit shqiptarë në luftën dhe përpjekjet e pareshtura     për liri e pavarësi.

Prandaj është obligim i yni që ti përkujtojmë dhe ti kultivojmë me përkushtim ngjarjet dhe datat e rëndësishme të historisë sonë kombëtare, të mbrojmë vlerat e shenjta të kombit dhe duke i ruajtur dhe kultivuar ato , të përcaktojmë dhe ti realizojmë objektivat tona si popull autokton në trojet e veta stërgjyshore, jashtë kufijve administrativ të Shqipërisë. E kjo arrihet kurë të gjithë ne, aq sa jemi, të jemi të bashkuar e jo të ndarë në baza ideologjike , fetare apo territoriale , sepse duke qenë të bashkuar padyshim se do të jemi ma të fortë e ma të respektuar edhe nga ata që nuk na duan të mirën.
Lavdi kryengritësve të malësisë me në krye Dedë Gjon Lulin,Lavdi dëshmorëve që dhanë jetën për  tokën   Arbërore dhe lirinë e shqiptarëve.
Rroftë Malësia, Rroftë populli Shqiptarë.

Faleminderit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *