KKSH- Vizitë pune në disa institucione të Republikës së Kosovës
Një pjesë e delegacionit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, të kryesuar nga kryetari Genci Nimanbegu, më 16 dhe 17 qershor 2015 , zhvilluan takime me përfaqësues të disa institucioneve të Republikës së Kosovës.
Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni i Këshillit Kombëtar zhvilloi takime në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës, në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtinasi dhe në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar fillimisht zhvilluan një takim edhe me studentët shqiptarë nga Mali i Zi të cilët studiojnë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Në takimin me studentët u diskutua në përgjithësi për çështje që i shqetësojnë studentët tanë, vështirësitë me të cilat janë ballafaquar gjatë procesit të aplikimit për regjistrim në universitet, shfrytëzimi i bursave nga studentët e dalluar, vonesat e theksuara gjatë procesit të njohjes së diplomave pas përfundimit të studimeve etj. Vemendje e veçantë i është kushtuar procedurave të regjistrimit për aplikantet fillestar, numrit të kuotave dhe shpërndarjes në programe të ndryshme të studimit.
Delegacioni i KKSH-së në takimin që zhvilluan në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” u pritën nga rektori, Ramadan Zejnullahun.
Kryetari Nimanbegu fillimisht e informoi rektorin Zejnullahu për situaten e përgjithshme të shqiptarëve në Malin e Zi.
Është diskutuar për çështjen e regjistrimit të kandidatëve për studentë nga Mali i Zi, në vitin akademik 2015/2016, për procedurat, për numrin e kuotave, për numrin e kandidatëve nga Mali i Zi, për mundësinë e rritjes së kuotave dhe shpërndarjen në programe të ndryshme studimi, duke i marrë parasysh edhe aspiratat e kandidatëve, për çka Këshilli Kombëtar ka realizuar një anketim me maturantët shqiptarë në Mal të Zi.
Në takim është rënë dakort që ndërmjet Këshillit Kombëtar dhe Rektoratit të UP “Hasan Prishtina” të vendosen mardhënie bashkëpunimi ndërinstitucionale me qëllim informimin dhe asistimin e kandidatëve për student nga Mali i Zi, të cilët janë vendosur të aplikojnë në UP “Hasan Prishtina”.
Nënkryetari i Këshillit Kombëtar Bujar Hasangjekaj, e informoi rektorin Zejnullahu për çështjen e kandidatëve për studentë nga Plava, Gucia dhe Rozhaja, të cilët për shkak të distancave të largëta me qendrat tjera shqiptare dhe për shkak të mungesës së infrastrukturës rrugore, si të vetmin destiacion për vazhdimin e studimeve të larta kanë Kosovën, kryesishtë Prishtinën, dhe në qoftë se nuk ju mundësohet vazhdimi i studimeve, ata janë të detyruar të mbeten pa arsimim të lartë. Për këtë nënkryetari Hasangjekaj, i parashtroi rektorit Zejnullahu që të merret parasysh edhe ky fakt për regjistrimin e kandidatëve nga këto zona.
Në përfundim të takimit është rënë dakort që gjatë procesit të aplikimeve dhe regjistrimeve të studentëve, të vazhdohen komunikimet dhe takimet në nivel institucional ndërmjet Këshillit Kombëtar dhe Rektoratit të UP “Hasan Prishtina”. Gjithashtu është propozuar që në të ardhmen, të vazhdohet bashkpunimi në projekte të tjera të përbashkëta.
Në takimin e zhvilluar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, delegacioni i Këshillit Kombëtar u prit nga ministri Arsim Bajrami dhe bashkëpunëtorët e tij.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Genci Nimanbegu, i paraqiti ministrit Bajrami punën dhe angazhimin e KKSH-së rreth çështjes së arsimimit shqip. Ai gjithashtu, e informoi ministrin për situatën e arsimit shqip në Mal të Zi, për numrin dhe kushtet e shkollave në të cilat mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, për numrin e nxënësve shqiptarë, për mjetet didaktike etj.
Midis të tjerash, kryetari Nimanbegu u shpreh se qëllimi i këtij takimi ishte vendosja e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet KKSH-së dhe MASHT-it.
Në takim u diskutua për çështjen e kuotave dhe regjistrimeve të kandidatëve shqiptarë në universitetet publike të Kosovës. U parashtrua edhe kërkesa që kandidatëve, të cilët do të aplikojnë për të ndjekur studimet universitare në vitin akademik 2015/2016, sipas mundësive, t’u rriten numri i kuotave dhe të bëhet shpërndarja e tyre për çdo program studimi. Në mënyrë që ndarja e kuotave të jetë sa më e përshtatshme, Këshilli Kombëtar paraprakisht ka realizuar anketim me maturantët shqiptarë në Malin e Zi dhe posedon rezultatet e preferencave të tyre, të cilat do t’ia përcjellë Ministrisë.
Ndërkohë Z. Bajrami, premtoi se me vëmendje të veçantë do të përcjellë çdo shqetësim që kanë shqiptarët në Malin e Zi sa i përket arsimimit shqip dhe se në takimet bilaterale që do të ketë me homologun e tij malazias, do t’i paraqesë për zgjidhje.
Ministri Bajrami premtoi se Qeveria e Kosovës, gjegjësishtë Ministria që ai drejton, është e gatshme që nxënësit shqiptar në Malin e Zi, t’i furnizojë me mjete të nevojshme didaktike, si psh: lektyra shkollore,libra parashkollorë, fletore pune, harta etj.
Çështje tjetër që është diskutuar në takim me Ministrin, ishte edhe problematika e mosnjohjes së maturës shtetërore (notës-pikëve) të kandidatëve tanë (të cilët i nënshtrohen provimeve pranuese), si rezultat i sistemeve të ndryshme të vlerësimit në Kosovë dhe Mal të Zi (Në Kosovë matura shtetrore vlerësohet me pikë, ndërsa në Mal të Zi me notë). Për këtë çështje u propozua që të bëhet ekuivalentimi i këtyre dy sistemeve.
Për këtë çështje ministri Bajrami u zotua se do të angazhojë këshilltarët e vet, në mënyrë që sa më parë të gjendet një mënyrë që kjo çështje të zgjidhet.
Përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar në takimin që zhvilluan në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, u takuan me ministrin Kujtim Shala.
Ndërmjet kryetarit Nimanbegu dhe ministrit Shala u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit kulturor ndërmjet institucioneve kulturore të Kosovës dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi. Kryetari Nimanbegu dhe Ministri Shala u dakorduan për nevojën e thellimit të bashkëpunimit dhe intensifikimin e marrëdhënieve kulturore mes Kosovës dhe shqiptarëve të Malit të Zi.
Ministri Shala shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve si dhe me institucionet shtetërore, në funksion të përmirësimit të jetës kulturore të shqiptarëve të Malit të Zi.
Me propozim të kryetarit Nimanbegu, ministri Shala u dakordua që të ndihmojë aktivitetet kulturore të shqiptarëve në Malin e Zi, duke përfshirë grupet artistike e kulturore nga Republika e Kosovës.
Pas realizimit të Kalendarit të Përbashkët Kulturor me Ministrinë e Kulturës të Republikës së Shqipërisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, ne bashkëpunimin me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në MZ, do të përpiqet të ndihmojë në dinamizimin e jetës kulturore ndërnacionale, me qëllim të njohjes, afrimit dhe promovimit sa më të gjithanshëm dhe sa me cilësor të kulturës shqiptare.