Takim i Kryetarit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, z. Faik Nika, me prof. dr. David Kalaj dhe doc. dr. Anton Gjokaj në Universitetin e Malit të Zi

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, z. Faik Nika, realizoi një takim të rëndësishëm në Universitetin e Malit të Zi me prof. dr. David Kalaj dhe doc. dr. Anton Gjokaj.
Profesor Kalaj, prej vitesh, drejton programin studimor për përgatitjen e mësuesve në gjuhën shqipe në kuadër të Universitetit të Malit të Zi, i cili mbetet programi i vetëm në gjuhën shqipe në këtë universitet për afro dy dekada. Profesor Gjokaj, doktor i shkencave matematikore, ushtron detyrën e asistentit të prof. Kalajt.
Gjatë takimit u diskutua rreth gjendjes aktuale të programit të mësuesisë për arsimin fillor, si dhe u theksua domosdoshmëria e hapjes së një debati gjithëpërfshirës me të gjithë aktorët dhe faktorët shoqëror, me qëllim përcaktimin e vizionit dhe të ardhmes së arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Mal të Zi, duke u bazuar në nevojat dhe mundësitë e komunitetit shqiptar.
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi rikonfirmon përkushtimin e tij të plotë ndaj avancimit të arsimit në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet, duke e konsideruar arsimin në gjuhën amtare si një element thelbësor për ruajtjen, forcimin dhe zhvillimin e identitetit kulturor dhe kombëtar të komunitetit shqiptar.
