URIME 28 NËNTORIN!

Të dashur bashkëatdhetarë, shqiptarë kudo që ndodheni, në veçanti Ju në Malin e Zi e diasporë!

Sot është dita e festës sonë më të madhe Kombëtare, dita e Flamurit Kombëtar dhe e shpalljes së Pavarësisë. Për shënimin e kësaj feste kombëtare, shqiptarët në mbarë botën, tradicionalisht kanë organizuar manifestime të ndryshme kulturore me motive patriotike në nderim të kombit dhe identitetit tonë.

Edhe shqiptarët në Malin e Zi, si pjesë e trungut kombëtar, këtë festë e kanë shënuar për çdo vit me organizime të shumta në mbarë trevat ku ata jetojnë.

Për fat të keq, këtë vit, si pasojë e Pandemisë së COVID-19, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi e ka të pamundur organizimin e shfaqjeve dhe tubimeve publike si pasojë e kufizimeve të vendosura nga organet kompetente për parandalimin e pandemisë.

Në këto rrethana, dëshiroj që përmes këtij mesazhi, në emër të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, dhe në emrin tim personal, të gjithë shqiptarëve në vendilindje dhe diasporë t’ju uroj nga zemra Ditën e Flamurit Kombëtar dhe Ditën e Pavarësisë.  

Më shpresë dhe besim të plotë, se këtë provë të madhe kombi shqiptar do ta kalojë dhe do të dalë më i fortë, i bindur se përvjetorët e ardhshëm, datat më rëndësi historike e kombëtare do t’i shënojmë e festojmë së bashku, ashtu siç kemi bërë tradicionalisht.

Nderimet më të veçanta, shkojnë për të gjithë ata, që kanë dhënë jetën e tyre për liri, në mbrojtje të Atdheut, Flamurit Kombëtar, identitetit dhe gjuhës shqipe.

Nderime edhe për secilin që jeton e punon çdo ditë për përparimin, zhvillimin dhe ruajtjen e identitetit dhe idealeve tona kombëtare.

Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që ndodhen, për jetë e mot!

Gëzuar!

Kryetari,
Faik Nika

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *