Urimi i kryetarit të KKSH-së për Kryeministrin dhe Kryeparlamentarin e Republikës së Kosovës
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, përmes shkresave zyrtare u është drejtuar Kryeparlamentarit të sapozgjedhur të Republikës së Kosovës z. Glauk Konjufcës dhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Albin Kurtit, duke iu dëshiruar mbarësi në punë dhe duke përcjellë “gatitshmërinë dhe vullnetin për bashkëpunim ndërmjet Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, në të mirën e shqiptarëve në të dy shtetet.”
Në vazhdim mund të lexoni shkresën e plotë dërguar Kryeministrit Kurti.
“I nderuar kryeministër z. KURTI,
Në emër të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Ju përcjellim urimet tona më të sinqerta, për fitoren në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe zgjedhjen Tuaj për Kryeministër të Republikës së Kosovës. Në të njëjten kohë, urojmë secilin anëtar të Kabinetit qeveritar, duke ju dëshiruar suksese në punën e tyre fisnike, në shërbim të vendit dhe shqiptarëve në përgjithësi.
Të bindur se Qeveria e Kosovës, nën drejtimin Tuaj, do të angazhohet me të gjitha kapacitetet në përmirsimin e cilësisë së jetesës së çdo qytetari të Republikës, po aq përkushtim do të tregoni edhe për shqiptarët në trojet e tyre në Malin e Zi.
Me këtë rast Ju përcjellim gatitshmërinë dhe vullnetin tonë për bashkëpunim ndërmjet Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, në të mirën e shqiptarëve në të dy shtetet.
Z. Kryeministër, duke Ju dëshiruar mbarësi në punë, besoj fortë se qeverisja e mirë, do të rezultojë me forcimin e bindjes së shqiptarëve, se e ardhmja më e mirë mund të ndërtohet në trojet e veta.
Me respekt të veçantë,
K r y e t a r i
Faik Nika”