Hapet Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë

Hapja e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Ulqin, me 7 prill 2025 është ngjarje me rëndësi historike për kombin shqiptar, në veçanti për shqiptarët në Malin e Zi dhe për Komunën e Ulqinit, si kryeqendra shqiptare në Malin e Zi, qytet me trashëgimi kombëtare shekullore.

Ky hap i Qeverisë Shqiptarë përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë është i një rëndësie të veçantë, sepse përmbush një endërr dhe kërkesë të kamotshme të shqiptarëve të Ulqinit e Tivarit, një pjesë Shqipërie në vendin tonë, dhe poashtu është tregues i qartë i vëmendjes së shtuar të shtetit amë për shqiptarët në Malin e Zi. Prania e Konsullatës shqiptare është tregues i kujdesjes për sfidat me të cilat ne ballafaqohemi, për bashkëpunim më të afërt vëllazëror në sfera të ndryshme si: trashëgimi kulturore, ruajtja e veçorive kombëtare si gjuha shqipe, arsimi, media, traditat, sporti, bashkëpunimi ekonomik e tregtar, shkëmbimi i përvojave të mira, projekte të përbashkëta në shërbim të krijimit të lidhjeve të qëndrueshme me shtetin amë dhe ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Malin e Zi.

Po ashtu jemi të bindur se hapja e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Ulqin është gurthemel i rëndësishëm për ndërtimin dhe forcimin e marrëdhënieve fqinjësore ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, për krijimin e mundësive të reja bashkëpunimi ekonomik dhe zhvillimi të qëndrueshëm të dy vendeve duke shfrytëzuar resurset e jashtëzakonshme që lidhin dy shtetet në kuadër të aspiratave të tyre për integrim në familjen e madhe të shteteve evropiane.

Shqiptarët në Malin e Zi, kanë pasur dhe kanë vazhdimisht një rrol konstruktiv për orientimet strategjike të shtetit të Malit të Zi, që për pavarësi, për antarësim ne NATO dhe tani janë të angazhuar plotësisht dhe japin kontribut të rëndësishëm për anëtarësimin e plotë të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, por gjithmonë duke kërkuar respektimin e të drejtave themelore si pakicë kombëtare.

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi përgëzon Qeverinë e Shqipërisë, MEPJ SH.T.Z. Igli Hasani, ndërsa Konsullit të Përgjithshëm z. Arben Doçi i urojmë punë të mbarë në detyrën e re, gjithmonë duke ofruar bashkëpunim vëllazëror.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *