Vizitë pune në Tiranë
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi z. Faik Nika, së bashku me sekretarin z. Lindon Gjelaj dhe anëtaren znj. Adriana Hoxha, realizuan në Tiranë takime pune në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në Ministrinë e Kulturës dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.
Në takim me ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë znj. Evis Kushi, u drejtua kërkesa që për studentët shqiptarë nga Mali i Zi të mos ketë kufizime me kuota për pranim në Universitetet publike dhe procedurat e aplikimit të jenë sa më lehtësuese, po ashtu u parashtrua kërkesa për sigurimin e kuotave për specializime në fushat e shkencave mjekësore.
Në Ministrinë e Kulturës delegacioni i KKSH-së u prit nga ministrja znj. Elva Margariti me bashkëpunëtorë, me ç’rast u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit dhe u përcoll kërkesa për mbështetje dhe koordinim për aktivitetet kulturore në trevat shqiptare në Malin e Zi.
Në takimin e realizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave me drejtorin e përgjithshëm z. Ardit Bido dhe bashkëpunëtorët e tij, u vendos ura e bashkëpunimit, e cila pritet të finalizohet shumë shpejt me rezultatin e parë konkret që ka të bëjë me ngritjen e Këndit Arkivor digjital në qendrat shqiptare në Malin e Zi, të cilat do të shërbenin si salla studimi dhe kërkimi dhe do të lehtësonin aksesin e çdo qytetari përballë dokumentacionit arkivor.