Kryetari i KKSH-së, Deputeti Genci Nimanbegu është takuar me Ministrin e Arsimit Predrag Boshkoviq
Komunikatë për opinion
Deputet në Parlamentin e Malit të Zi dhe Kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve z. Genci Nimanbegu, është takuar sot me Ministrin e Arsimit të Malit të Zi z. Predrag Boshkoviq.
Në takimin që është mbajtur në Ministrinë e Arsimit, kanë qenë të pranishëm shefja e Kabinetit znj. Bojana Martinoviq dhe Ndihmës ministri z. Sllobodan Filipoviq.
Z. Nimanbegu ka biseduar me Ministrin Boshkoviq për nevojën që, përmes kontakteve direkte, të arrihen marrëveshjet për përmirësimin e teksteve shkollore, plan-programeve (kurrikulave), si dhe për cilësinë e përkthimeve të teksteve nga gjuha malazeze në gjuhën shqipe, e cila ka qenë edhe pyetje drejtuar Ministrisë në seancën e parë (pranverore), të rregulltë, të Kuvendit të Malit të Zi për vitin 2015.
Në takim gjithashtu është diskutuar për bashkëpunimin në lidhje me fillimin e realizmit të Memorandumit të nënshkruar vitin e kaluar, në të cilin është paraparë që të propozohet një numër i caktuar studentësh, për tu pranuar në Universitetin e Malit të Zi, në përputhje me mundësitë që i ofron Ligji për të Drejtat dhe Liritë e Njëriut.
Gjithashtu, një nga temat për të cilat është diskutuar në takim ishte edhe procesi i nostrifikimit (njohjes) të diplomave të studentëve që mbarojnë studimet jashtë Malit të Zi, për çka është konstatuar se Ministria e Arsimit e Malit të Zi këtë proces e kryen me profesionalizem dhe në mënyrë të përshpejtuar, por vonesat ndodhin për shkak të procedurave mjaft të ngadalta në Shqipëri dhe Kosovë.
Në përfundim të takimit është propozuar që Ministria e Arsimit të dërgojë sa më parë dokumentacionin e kandidatëve aktual për drejtorë të shkollave, në të cilat mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, në mënyrë që Këshilli të japë mendimin e vet.
Ministri Boshkoviq gjatë takimit, ka shprehur gatishmërinë e Ministrisë që ai drejton, për të punuar së bashku për çështjet e përmendura.