KKSH – Reagim për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi shpreh dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, një nga figurat më të shquara të mendimit intelektual dhe kulturës shqiptare.

Me ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, humbëm një nga figurat më të rëndësishme të mendimit intelektual dhe kritikës letrare shqiptare, një mendje të ndritur dhe një gjigand të letrave shqipe. Ai la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme kombëtare, duke dhënë kontribut të veçantë në kritikën letrare, historinë e letërsisë si dhe në analizën e thelluar të zhvillimit të letërsisë dhe figurave të saj kryesore.

Veprat e tij mbi rilindasit, autorët modernë dhe identitetin kulturor shqiptar mbeten referenca të rëndësishme në studimet albanologjike. Në letërsinë artistike, ai la gjurmë të pashlyeshme me romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, një nga veprat më të rëndësishme të prozës shqipe bashkëkohore.

Emri i tij do të mbetet përherë i nderuar, si simbol i dijes, guximit intelektual dhe përkushtimit ndaj së vërtetës.

Shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë botës akademike e kulturore shqiptare.

U prehtë në paqe dhe kujtimi i tij qoftë i përjetshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *