KKSH-Takim me anëtarët e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Republikës së Kosovës
Më 11 maj 2015, kryetari i Këshillit Kombëtar z. Genci Nimanbegu, me bashkëpunëtorë, pritën në një takim pune anëtarët e delegacionit të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Republikës së Kosovës të kryesuar nga kryetari i komisionit z. Nait Hasani.
Në fillim të takimit kryetari i Këshillit z. Nimanbegu, informoi të pranishmit rreth gjendjes së shqiptarëve në Mal të Zi dhe shqetësimeve që ata kanë. Gjithashtu shpalosi para tyre punën e deritanishme të Këshillit, mënyrën e funksionimit, kompetencat e tij, etj.
Anëtarët e Komisionit Parlamentar të Republikës së Kosovës, shfaqën interes të veçantë për problemet e arsimit shqip në këtë zonë, në mënyrë që në takimet që do të zhvillojnë në Podgoricë me homologët e tyre nga Mali i Zi, t’i parashtrojnë si çështje që kërkojnë zgjidhje.
Mbi lëminë e arsimit shqip në Malin e Zi, të pranishmëve i’u drejtua kryetari i komisionit të Këshillit për Arsim dhe Përdorim Zyrtar të Gjuhës Shqipe z. Ismet Kallaba, i cili informoi të pranishmit edhe mbi aktivitetet e deritanishme të KKSH-së dedikuar kësaj fushe.
Nga Këshilli Kombëtar, anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Republikës së Kosovës iu dorëzua nga një kopje e përfundimeve dhe rekomandimeve të dala nga seminari për arsim “Pozita dhe nevojat e arsimit shqip në Malin e Zi”, mbajtur me 14-15 qershor 2014 dhe organizuar nga Këshilli Kombëtar.
Gjithashtu të pranishmëve u drejtua edhe kryetari i Komisionit për Kulturë dhe Sport z. Cano Lazoja, me ç’rast informoi të pranishmit për situatën e aktiviteteve kulturore në trevat ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi, mungesen e investimeve nga pushteti qëndror… Në këtë kontekst propozoi që Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Kulturës, të përçojë ndonjë aktivitet kulturor apo shfaqje teatrale të vetën edhe në trevat shqipfolëse të Malit të Zi.
Në përmbyllje të takimit është rënë dakort që në të ardhmen, të intensifikohet bashkëpunimi dhe kontaktet ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve të Malit të Zi.
Shërbimi për informim i KKSH-së