Kryetari Nimanbegu priti në takim pune ministrin e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës Prof.Dr. Arsim Bajramin

 

KKSH - MASHT foto

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, z. Genci Nimanbegu, së bashku me bashkëpunëtorë, më 01.08.2015,  priti në një takim pune ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, prof. Dr. Arsim Bajrami, i cili shoqërohej nga bashkëpunëtorët e tij.

Në takim është biseduar për gjendjen e arsimimit në gjuhën shqipe në Mal të Zi, për mundësitë e bashkëpunimit në të mirë të ngritjes së cilësisë së tij, si dhe mbi ndihmën që mund të japë Republika e Kosovës në këtë drejtim.

Duke falënderuar ministrin Bajrami për sigurimin e kuotave për kandidatët shqiptarë në Mal të Zi (sigurim ky që u realizua në përputhje me kërkesat e vetë kandidatëve, bazuar në anketimin e zhvilluar me maturantë), kryetari Nimanbegu dhe përfaqësuesit e tjerë të KKSH-së kanë shprehur shqetësimin se në afatin e parë të regjistrimit është pranuar një numër i vogël i kandidatëve shqiptarë nga Mali i Zi, si rezultat i mosnjohjes së pikëve nga provimi i maturës.

Lidhur me këtë, ministri Bajrami premtoi që në afatin e dytë të regjistrimit do të plotësohen të gjitha kuotat e rezervuara për kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi, duke siguruar se asnjë kandidat nuk do të mbesë pa u regjistruar. Ai  po ashtu tha se sivjet, për të parën herë, do të ketë kuota të rezervuara për kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi për studimet master dhe studimet e doktoraturës, si dhe shtoi që MASHT-i do të ndajë bursa studimi edhe për studentët shqiptarë jashtë Kosovës, përfshirë edhe ata nga Mali i Zi.

Midis të tjerash, ministri Bajrami ka thënë se Qeveria e Kosovës do të japë gjithë ndihmën e nevojshme për mësimin shqip në Mal të Zi, i cili njëherit do të jetë në qendër të vëmendjes së MASHT-it për shkak të pozitës specifike të shqiptarëve në këtë rajon.

Ai ka premtuar se në fund të muajit gusht MASHT-i do të sjellë një kontigjent të abetares mbarëkombëtare, lektyrave shkollore dhe mjeteve të tjera mësimore për nevojat e shkollave shqipe dhe nxënësve shqiptarë.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës ka shprehur kënaqësi që tashmë ekziston një institucion përfaqësues i shqiptarëve në Mal të Zi, duke përfunduar se  KKSH-ja tani e tutje, do të jetë pikë kontakti e tyrja për të gjitha çështjet e arsimit shqip në Mal të Zi.

Takimi ishte vazhdimësi e takimit të zhvilluar në muajin qershor në Prishtinë ndërmjet përfaqësuesve të KKSH-së dhe MASHT-it, ndërkaq ministri Bajrami i ka ftuar përfaqësuesit e KKSH-së në takimin e radhës në Prishtinë me rastin e fillimit të vitit të ri akademik.

 Shërbimi për Informim

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *