KKSH: Mesazh urimi Federatës Shqiptare të Futbollit me rastin e kualifikimit në Kampionatin Evropian
FEDERATËS SHQIPTARE TË FUTBOLLIT
I nderuari Z. Duka,
Të nderuar lojtarë të Kombëtares,
Kam kënaqësinë që, në emër të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi dhe në emrin tim personal, të Ju përcjell urimet më të përzemërta, me rastin e fitores historike të futbollit shqiptar.
Me rezultatin e arritur, me lojën e shkëlqyer dhe organizimin e mirë, keni merituar këtë urim që Ju vjen nga secili shqiptar që jeton e vepron në trevat shqiptare në Mal të Zi.
Kemi festuar po aq sa Ju, kemi gëzuar po aq, por krenarë jemi ndier më shumë!
Arritjet, sukseset dhe festimet e këtilla janë pishtarët më të mëdhenj në bashkimin e kombit. Kjo fitore na ka bërë të gjithëve të ndihemi një, na ka bërë të ndihemi sikur kjo fitore na takon secilit dhe na dedikohet secilit.
Keni vërtetuar se shqiptarët munden, kanë talent dhe kanë aftësi po aq sa të tjerët.
Shqiptarët gjatë shekujve janë etiketuar si të lashtë, besnik, të fuqishëm, tani edhe si kualifikuese në Kampionatin Evropian 2016.
Shqiptarët në Mal të Zi janë tifozë të zjarrtë, do Ju përcjellin dhe do Ju përkrahin. Suksese!
Me respekt,
Kryetari
Genci Nimanbegu