KKSH shenoi 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
Të premten, më 22 qershor 2018 në Galerinë e Qendrës për Kulturë, u mbajt veprimtaria shkencore e titulluar “Trevat shqiptare veriperëndimore në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”. Kjo veprimtari u organizua nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Albanologjike – Tiranë.
Rolin e moderatorit të mbrëmjes e kishte z. Ismet Kallaba, i cili në emër të SHAI “Art Club” përshëndeti të pranishmit dhe midis të tjerash u shpreh:
“Megjithëse kanë kaluar 140 vjet, Lidhja Shqiptare e Prizrenit mbetet aktuale sidomos për ne shqiptarët që sot jetojmë në Mal të Zi pasi që, për fat të keq, vazhdon procesi i rrezikimit dhe i copëtimit të trungut etnik shqiptar, tashmë jo me luftë, por me mjete të tjera asimiluese.”
Edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, z. Faik Nika, përgëzoi bashkëpunimin me Art Club-in dhe Akademinë e Studimeve Albanologjike dhe theksoi rëndësinë e shenimit të kësaj ngjarjeje me rëndësi për popullin shqiptar.
Në vazhdim veprimtarinë shkencore e hapi akademik Prof. Dr. Marenglen Verli, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike.
Ligjërues të mbrëmjes ishin:
- Akademik Prof. Dr. Beqir Meta me temën “Propozimi britanik në Ulqin dhe rezistenca shqiptare maj-qershor 1880”
- Prof. Dr. Gazmend Shpuza me temën “Mbrojtja e Ulqinit, fati i Çamërisë dhe e ardhmja e Shqipërisë përballë koalicionit ndërkombëtar”;
- Dr. Nail Draga me temën“Ulqini dhe Ymer Prizreni”;
- Akademik Prof. dr. Marenglen Verli me temën “Vëmendja dhe qëndrimet e Austro-Hungarisë për trevat veriperëndimore shqiptare nga vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit deri në krijimin e shtetit shqiptar”
Në mbyllje të mbrëmjes, moderatori i njoftoi të pranishmit që të nesërmen në ora 10, në shenjë nderimi dhe kujtimi, përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, përfaqësuesit e Art Club-it dhe të Akademisë së Studimeve Albanologjike, do të vendosin lule në varrin e Ymer Prizrenit dhe njëherit, u bëri thirrje të pranishmëve që t’i bashkangjiten me këtë rast.