Lule në varrin e YMER PRIZRENIT – në shenjë nderimi dhe kujtimi
Pasi u mbajt veprimtaria shkencore me qëllim shenimin e 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në kuadër të shenimit të këtij përvjetori ishte edhe vizita e varrit të haxhi Ymer Prizrenit.
Sot, më 23 qershor, përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, përfaqësuesit e SHAI “Art Club” dhe të Akademisë së Studimeve Albanologjike – Tiranë, kanë vendosur lule në varrin e këtij lapidari të historisë sonë kombëtare, me qëllim nderimi e kujtimi me rastin e 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Ymer Prizreni u lind në Prizren më 1820-ën, ndërsa vdiq në Ulqin më 1886-ën. Amaneti i tij ishte të varrosej në Ulqin, pikërisht në varrezat e Mollabeqirëve në Mëhallën e Re. Në Ulqin, që në vitin 2015, rruga kryesore në Mëhallë të Re mban pikërisht emrin e Ymer Prizrenit, si shenjë nderimi ndaj kësaj figure.