U mbajt “TRAJNIMI PËR LIDERËT E RINJ”
“TRAJNIM PËR LIDERËT E RINJ”
(Pjesëmarrja e përfaqësuesve të pakicave kombëtare në jetën publike e politike të Malit të Zi)
Fundjavën e 29 dhe 30 majit 2021, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi realizoi trajnimin për të rinj, të mbajtur në Hotelin “Otrant” në Ulqin, i cili bashkoi të rinjtë shqiptarë nga Mali i Zi, të cilët e shohin veten si pjesë të rrugëtimit politik. Të rinjtë nga Plava, Gucia, Tuzi/Malësia, Tivari dhe Ulqini, ishin pjesë e këtij trajnimi dyditor, i cili pati një program të fokusuar në politikë dhe media. Trajnerët e këtij trajnimi ishin figura të njohura, kryesisht nga Shqipëria, me një bagazh si mediatik ashtu edhe politik, figura që kanë njohuri dhe përvojë, e cila duhet përcjellur tek gjeneratat e reja.
Ditën e parë të trajnimit u diskutua për idetë politike, pjesëmarrjen politike, format e ndryshme të angazhimit politik, u dhanë shembuj të karrierave televizive, u fol për paraqitjen televizive dhe dita u përmbyll me fjalimin publik dhe mendimin kritik. Të gjithë këto njohuri, të rinjtë patën mundësi t’i përthithin nga trajnerët si Adri Nurellari, Alban Dudushi, Ardian Lama, Ilir Kalemaj.
Dita e dytë e trajnimit nisi vrullshëm me temën që ngërthente internetin, rrjetet sociale me mënyrat se si të rinjtë mund t’i përdorin ato për nevojat e tyre si lider të ardhshëm, u fol për bazat e lidershipit e më pas u prek edhe lidhja dhe ndikimi i politikës në media dhe anasjelltas. Për trajtimin e temave të ditës së dytë ishin meritor trajnerët Benjamin Kolenoviq, Neritan Sejamini dhe Arbër Hitaj.
Ajo që duhet theksuar për këtë trajnim është se të rinjtë morën pjesë në mënyrë interaktive duke shprehur idetë dhe përceptimet e tyre dhe me njohuritë e reja që patën mundësi të vjelin nga ky trajnim, dolën shumë të kënaqur dhe optimist për të ardhmene tyre, gjegjësisht për aftësitë e veta në fushën e lidershipit.
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi angazhohet herë pas here me trajnime të kësaj natyre, ku vitin që shkoi, po ashtu realizoi trajnim për të rinj, si duket, kjo do të vazhdojë të jetë një pikësynim edhe për të ardhmen, pra puna me të rinj dhe rritja e potencialit të tyre.