KKSH: Kryetari z. Faik Nika vizitë pune në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit të Malit të Zi
Sot, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve zhvilloi një vizitë pune në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit të Malit të Zi. Gjatë takimit të parë, ai pati mundësinë të takohej me z. Fikret Lulanaj, i emëruar së fundmi në detyrën e Sekretarit Shtetëror pranë kësaj ministrie.
Në vazhdim, ata diskutuan për çështjet që kërkojnë zgjidhje në lidhje me arsimin në gjuhën shqipe në Malin e Zi, duke përfshirë të gjitha nivelet e arsimit, nga ai parashkollor deri në arsimin e mesëm dhe të lartë. Këshilli Kombëtar ka evidentuar disa nevoja të cilat duhet të plotësohen në koordinim me drejtuesit e institucioneve arsimore, në përputhje me kërkesat e reja.
Pas këtij takimi, kryetari i Këshillit Kombëtar së bashku me kryetarët e tjerë të Këshillave Kombëtare të Malit të Zi, realizuan një takim të përbashkët me Ministren e Arsimit, znj. Anđela Jakšić Stojanović, dhe bashkëpunëtorët e saj. Tema kryesore e këtij takimi ishte iniciativa e Ministrisë së Arsimit për një reformë gjithpërfshirëse në sistemin arsimor të Malit të Zi, si dhe hartimi i një strategjie të përgjithshme për periudhën 2025-2035. U diskutua gjithashtu për përfshirjen e Këshillave Kombëtare në proceset e hartimit dhe punimit të këtyre dokumenteve strategjikë.
Ministrja Jakšić Stojanović ofroi mundësi bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Këshillave Kombëtarë dhe shkollave për realizimin e aktiviteteve dhe projekteve të përbashkëta.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve theksoi nevojat dhe specifikat që kanë shqiptarët kur bëhet fjalë për arsimin në gjuhën shqipe në Mal të Zi.
Në parim, u ra dakord që Këshillat Kombëtarë duhet të jenë pjesë aktive e proceseve dhe reformave në sistemin arsimor të Malit të Zi, dhe për këtë falenderuan ministren për nismën dhe takimin e realizuar.


