KKSH mirëpret në takim delegacionin e Bashkësisë Islame të Kosovës, në krye me myftiun z. Naim-ef. Tërnava
Kryetari i Këshillit Kombëtar Faik Nika, ka pritur në takim zyrtar, kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim ef. Tërnava me bashkpunëtorët e tij, të shoqëruar nga kryeimami i Ulqinit Ali ef. Bardhi dhe sekretari Suad ef. Ukoshata.
Kryetari Nika e njoftoi Myftiun me misionin e Këshillit për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit të shqiptarëve në Mal të Zi dhe sfidat me të cilat përballemi aktualisht, shqetësimin për fenomenin e asimilimit të heshtur të shqiptarëve; proces i cili vazhdon me dekada në Mal të Zi, për migrimin e popullsisë shqiptare drejt vendeve perëndimore që rezulton me rënien e vazhdueshme të numrit të shqiptarëve në këtë shtet.
Z. Nika u shpreh se komunitetet fetare janë faktor i rëndësishëm në shoqërinë tonë dhe duhet të kenë rol të veçantë në përpjekjet tona të përbashkëta për ruajtjen e vlerave dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve, për vet faktin se klerikët dhe shërbyesit fetar gjatë angazhimit të tyre, janë në komunikim të përditshëm me popullatën në çdo trevë shqiptare dhe se fjala e tyre ka peshë të veçantë në komunitet. Për këto arsye bashkëpunimi i Këshillit me komunitetet fetare është i nevojshëm që të kontribuojmë bashkarisht në ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi.
Myftiu Tërnava, pasi na falënderoi për pritjen e ngrohtë, vlerësoi lart punën dhe vizionin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi dhe shprehu gatishmërinë që të bëjë gjithçka të mundur në funksion të ruajtjes së gjuhës, arsimit dhe kulturës shqiptare.




