Përurimi i qendrës multifunksionale Bibliotekë/Librari në Katërkollë më 7 Mars
Falë bashkëpunimit të Këshillit Kombëtar dhe Komunës së Ulqinit, së bashku me kryetarin z. Genci Nimanbegu, në Ditën e Mësuesit, më 7 mars, në Katërkollë u inaugurua qendra multifunksionale Bibliotekë/Librari.
Kjo qendër është projektuar të shërbejë si hapësirë e rëndësishme për ruajtjen dhe promovimin e vlerave kombëtare përmes librit në gjuhën shqipe, si dhe për organizimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore, prezantimeve dhe veprimtarive të tjera.
Njëkohësisht, ajo do të jetë në shërbim të nxënësve, studiuesve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, të cilët do të kenë në dispozicion hapësira të përshtatshme për punë dhe zhvillimin e aktiviteteve të tyre.
Dituria, arsimi dhe kultura janë dhe mbeten shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit, emancipimit dhe ruajtjes së vlerave njerëzore dhe identitare të një populli. Besojmë se kjo qendër e sapohapur do të kontribuojë në realizimin e këtyre qëllimeve të nalta kombëtare.





