Në kujtim të Kryengritjes së Malësisë – 6 Prill 1911
Sot është një ditë shumë e rëndësishme për kombin shqiptar në përgjithësi, sepse kujtojmë 6 prillin e vitit 1911, Kryengritjen e Malësisë, të udhëhequr nga atdhetari Ded’ Gjon Luli, i cili pas shumë shekujsh ngriti Flamurin Kombëtar në majën e malit të Deçiqit në Malësi, si shprehje e vullnetit të popullit shqiptar për liri dhe pavarësi nga çdo pushtues.
Ngjarja e 6 prillit të vitit 1911 ngjason me flakën olimpike, që u ndez në majën e Deçiqit të Malësisë si kushtrim për pavarësi e liri, e cila përshkoi mbarë trevat shqiptare për t’u kurorëzuar në Vlorë më 28 nëntor 1912, me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. 6 prilli i vitit 1911 ishte pararendëse e shpalljes de facto të Pavarësisë së Shqipërisë.
Kryengritja e Malësisë është një simbol i krenarisë kombëtare, i atdhedashurisë dhe i sakrificës për liri.
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi nderon këtë ngjarje historike dhe përkujton Ded’ Gjon Lulin dhe të gjithë kryengritësit e Malësisë, duke theksuar rëndësinë e kësaj ngjarjeje si një moment të lavdishëm të historisë shqiptare, që dëshmon për qëndresën, guximin dhe përkushtimin ndaj atdheut.


