Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit dorëzon mjete mësimore për shkollat shqipe në Mal të Zi – rezultat i angazhimit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve
Sot, me ftesë të Ministres së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, znj. Angjella Jakshiq Stojanoviq, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, z. Faik Nika, mori pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së mjeteve mësimore për shkollat ku zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe.
Ky aktivitet është rezultat i shkresave dhe takimeve të shumta që Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve ka zhvilluar me ministrinë dhe me drejtuesit e institucioneve arsimore, duke bërë të mundur fillimin e realizimit të disa prej kërkesave për përmirësimin e kushteve në procesin mësimor.
Kjo nismë është dëshmi e qartë se përkushtimi për zhvillimin dhe avancimin e arsimit në gjuhën shqipe, për Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, mbetet një ndër prioritetet kryesore. Përmes këmbënguljes dhe angazhimit të vazhdueshëm, është bërë e mundur që një pjesë e kërkesave të gjejnë zbatim, duke hapur rrugën për një bashkëpunim më të qëndrueshëm me institucionet shtetërore.
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi do të vijojë takimet dhe komunikimin e rregullt me të gjitha shkollat në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, në të gjitha nivelet dhe profilet, me qëllim sigurimin e kushteve sa më të përshtatshme për nxënësit dhe mësimdhënësit shqiptarë.


