Pjesëmarrja e Kryetarit të KKSH-së, z. Faik Nika, në Konferencën e Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, z. Faik Nika, mori pjesë në Konferencën e Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë, e cila u mbajt në Tiranë, nga data 8 deri më 10 shtator 2025, me ftesë të posaçme nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.
Konferenca e Ambasadorëve është kthyer tashmë në një nga platformat më të rëndësishme të diskutimit dhe shkëmbimit të mendimeve mbi zbatimin e prioriteteve kryesore të politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë. Këtë vit, në fokus të saj ishin çështje që lidhen me procesin e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, sigurinë rajonale dhe globale, diplomacinë smart dhe zhvillimin e qëndrueshëm, diplomacinë ekonomike, si dhe rolin e shqiptarëve në rajon në rrugën drejt integrimit evropian.
Kryetari i Këshillit Kombëtar ishte folës në Panelin II, të mbajtur më 8 shtator, me temë:
“Shqiptarët në Rajon – identiteti i përbashkët, qëllimi i përbashkët evropian: fuqizimi i zërave rajonalë në rrugën drejt BE-së.”
Pjesëmarrja në këtë konferencë përbën një mundësi të çmuar për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe përfaqësimin e interesave të përbashkëta në nivel ndërkombëtar.



