Takim me Ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, SH. T. Z. Aivo Orav

Më datë 04.07.2019, Kryetari i Këshillit Kombëtar te Shqiptarëve në Mal të Zi  Faik Nika, së bashku me sekretarin Lindon Gjelaj dhe koordinatoren e zyrës së Këshillit Adriana Hoxha, zhvilluan një takim pune në zyren e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, në të cilin u mirëpritën nga Ambasadori SH. T. Z. Aivo Orav.

Në këtë takim Kryetari i Këshillit prezantoi gjendje aktuale të shqiptarëve në Mal të Zi, sfidat me të cilatshqiptarët ballafaqohen dita ditës dhe përcolli qëndrimet e Këshillit për të ardhmen.

Ai shprehu shqetësimin për rënien e vazhdueshme të numrit të shqiptarëve në Malin e Zi, si shkak i natalitetit të ulët dhe emigrimit të vazhdueshëm.

Shqetësimet e tjera, të cilat u shpalosën në këtë takim, lidheshin edhe me temat si:

– Rëndësia e integrimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore publike në të gjitha nivelet, sipas proporcionit.

– Gjendja e arsimit në gjuhën shqipe në Mal të Zi, problemet me planet e punës në lëndët që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar, problemet me përkthimet e kurrikulës mësimore, toponimet dhe emrat e personazheve në ilustrime dhe shembuj të dhënë.

– Gjendja e përdorimit të gjuhës shqipe dhe toponimeve në gjuhën shqipe.

– Çështjet e përdorimit të simboleve kombëtare dhe problemet me mospërputhjen e ligjeve.

– Nevoja për t’u konsultuar përfaqësuesit shqiptarë në proceset e vendimmarrjes kur bëhet fjalë për planifikimin hapësinor, përdorimin e burimeve natyrore të zonave ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi.

– Kujdesi për kulturën, trashëgiminë kulturore, vendet arkeologjike në zonat e banuara nga shqiptarët në Mal të Zi.

– Situata e mediave dhe informimit në gjuhën shqipe.

– Situata socio-ekonomike dhe infrastruktura.

Kryetari i Këshillit përmendi rëndësinë e mundësive për bashkëpunim brenda institucioneve dhe vendosjen e një komunikimi të rregullt për shprehjen e shqetësimeve dhe çështjeve që kanë të bëjnë me shqiptarët në Mal të Zi.

Në vazhdim e sipër, Ambasadori Orav falenderoi Këshillin për vizitën që i bëri Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe për prezantimin e çështjeve dhe gjithashtu shtoi rolin konstruktiv dhe rëndësinë e pakicave për integrimin e Malit të Zi në BE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *